Urdhri, ndryshon taksa e qarkullimit për makinat. Formula e përllogaritjes
Posted on admin on July 27, 2010 // Leave Your Comment
Urdhri, ndryshon taksa e qarkullimit për makinat. Formula e përllogaritjes
Urdhri, ndryshon taksa e qarkullimit për makinat. Formula e përllogaritjes
Menjëherë pasi ka hyrë në fuqi ligji për strukturën e re të taksave doganore për automjetet e përdorura, Ministria e Financave ka nxjerrë udhëzimin duke shpjeguar me hollësi mënyrën se si ai do të zbatohet në terren. Udhëzimi është nxjerrë bazuar mbi ndryshimet e miratuara në ligjin “Për taksat kombëtare”, të cilat kanë marrë fuqi juridike që prej mesit të këtij muaji. Në të parashikohen edhe procedurat e reja që do të ndiqen për vjeljen e taksës së qarkullimit.
Referuar udhëzimit, vlera e taksës së qarkullimit është vjetore për vitin kalendarik në të cilin arkëtohet dhe jo duke iu referuar datës në të cilën ajo është paguar. Për shembull, nëse taksa e qarkullimit të automjetit është paguar në muajin shkurt ajo skadon në fund të vitit kalendarik dhe jo në të njëjtin muaj të një viti më pas. Ndryshe veprohet për automjetet e importuara dhe që targohen për herë të parë. Për këtë kategori, taksa paguhet në raport me muajin në të cilin ajo është hedhur në qarkullim. Nëse automjeti është targuar në muajin qershor, taksa e qarkullimit që do të paguajë do të jetë gjysma e shumës. Por nëse automjeti është hedhur në qarkullim në muajin janar, taksa paguhet e plotë. Ndërkohë, në rast se një mjet targohet për shembull në mars, vlera e taksës së qarkullimit, është e barabartë me vlerën totale të taksës sipas tipit të mjetit pjesëtuar me 12. Shuma e përfituar më pas shumëzohet me numrin e muajve që kanë mbetur deri në përfundim të vitit, në rastin konkret ajo shumëzohet me 10. Për sa i përket automjeteve që dalin përfundimisht nga qarkullimi, taksa do të jetë në raport me muajt që ai ka qënë në përdorim.
Taksa doganore
Ndryshimet në ligj “Për taksat kombëtare” përcaktojnë një formulë ndryshe nga ajo e para për përllogaritjen e taksës doganore për automjetet e përdorura që importohen. Referuar edhe udhëzimit të nxjerrë nga Ministria e Financave, formula e re e përllogaritjes së kësaj takse do të jetë: Cilindrata e automjetit X koeficienti fiks për çdo vit përdorimi X taksa fikse për llojin e karburantit. Taksa fikse për llojin e karburantit është 25 lekë për naftën dhe 20 lekë për benzinën, ndërsa koeficienti për vitet e përdorimit është 0.5 për vit për autoveturat dhe 0.25 për mjetet e tjera. Taksa paguhet ose në bankë ose në Drejtoritë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor. Referuar formulës, nëse dikush importon sot një automjet të prodhuar në vitin 2008, me naftë dhe fuqi motorike 1700 kubikë, ai duhet të paguajë 42 500 lekë. Nëse pasi e ka përdorur katër vite, ai vendos ta shesë, taksa që duhet të paguajë sërish për të njejtën makinë do të jetë 85 000 lekë. Në total, pronari i këtij automjeti paguan 127 500 lekë.
Krahas formulës së përllogaritjes së taksës, një ndryshim tjetër thelbësor ka të bëjë me pagesën që duhet të bëjë pronari i automjetit nëse vendos ta shesë atë. Ligji, parashikon pagesën e taksës edhe gjatë shitjeve të automjetit dorë pas dore brenda vendit. Në këtë rast, taksa për t’u paguar në momentin e shitjes do të jetë: Taksa e mjetit të përdorur në vitin e shitjes minus taksën e importimit në momentin kur është hedhur për herë të parë në qarkullim. Kjo taksë paguhet nga shitësi dhe derdhja e parave bëhet në bankë ose Drejtoritë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor.
Shembull 1
Në import:
Në rast se dikush importon në gusht 2010, një makinë me cilindratë 1700 cm³, me naftë dhe vite përdorimi 4 vjet ( e prodhuar në vitin 2006), taksa e mjetit të përdorur në momentin e importimit është:
= Cilindrata në cm³ X koficienti fiks për çdo vit përdorimi X taksa fikse për llojin e karburantit
= 1700 x 25 x 0.5 x 4 = 85 000 lekë.
Në shitjet brenda vendit:
Në rast se ky mjet do të shitet pas 2 vitesh, në vitin 2012, taksa për t’u paguar në momentin e
shitjes do të jetë:
Taksa e mjeteve të përdorura të transportit = taksa e mjetit të përdorur të transportit në vitin e
shitjes – taksën e importimit të mjetit në momentin e hedhjes në qarkullim
= 1700 x 25 x 0.5 x 6 minus 1700 x 25 x 0.5 x 4 = 127 500 lekë – 85 000 lekë = 42 500 lekë.
Në rast se pronari do ta shesë makinën në një nga vitet e mëtejshme, 2013 ose 2014, llogaritja
e formulës bëhet duke u spostuar në tabelën e mëposhtme sipas viteve të përdorimit të mjetit.
Shembull 2
Në rast se në vitin 2006, dikush ka importur një autoveturë të re me cilindratë 2 500 cm³, me benzinë, prodhuar po në atë vit, dhe në nëntor 2010, kjo makinë do të shitet, qytetari do të paguajë taksën e mjetit të përdorur të transportit si më poshtë :
Taksa e mjetit të përdorur të transportit = taksa e mjetit të përdorur të transportit në vitin 2010
- taksën e importimit të mjetit në vitin 2006
Taksa e mjetit të përdorur të transportit = 2500 x 20 x 0.5 x 4 – 0
Taksa e mjetit të përdorur të transportit = 100 000 lekë
Shënim. Në vitin 2006, në momentin e importimit individi nuk ka paguar taksën e importimit të
mjetit sepse është autoveturë e re e prodhuar në 2006 dhe e hedhur në qarkullim të lirë në Shqipëri po në vitin 2006.
Shembull 3
Një makinë tip autoveturë e prodhuar në vitin 1986, me cilindratë 2500
cm³, me naftë, është importuar në Shqipëri në vitin 2002. Makina do të shitet në nëntor 2010. Taksa e mjetit të përdorur për t’u paguar do të jetë: Taksa e mjetit të përdorur për t’u paguar = taksa e mjetit në momentin e shitjes minus taksa e importimit të mjetit të llogaritur sipas formulës së ligjit nr. 9769, datë 9.07.2007.
Taksa e mjetit të përdorur në momentin e shitjes = 2500 x 25 x 0.5 x 21 = 656 250 lekë
Taksa e importimit të mjetit llogaritur sipas formulës së ligjit nr. 9769, datë 9.07.2007
= 2500 x 25000 x 0.0048 = 300 000 lekë
Taksa për t’u paguar = 656 250 lekë minus 300 000 lekë= 356 250 lekë
Shekulli
Nessun commento:
Posta un commento