Nje zanatçi me duar te shkathta eshte mjeshter,por kur punon me zemer dhe pqe punon me duar eshte Z

Nje zanatçi me duar te shkathta eshte mjeshter,por kur punon me zemer dhe pqe punon me duar eshte Z

venerdì 27 agosto 2010

Falen 150 mije automjete qe nuk kishin paguar taksat

Falen 150 mije automjete qe nuk kishin paguar taksat

28 December 2008 nga admin
Kategoria: Ekonomi
Vleresimi: 12345 (1 vota)
(270 shikime)

Amnistia fiskale e miratuar nga qeveria në korrik 2008 nuk u jep shanse vetëm bizneseve, por edhe drejtuesve të automjeteve, të cilat për shkaqe të ndryshme nuk kanë paguar taksat. Mësohet se rreth 150 mijë automjete nuk paguajnë taksat e qarkullimit rrugor dhe të kontrollit teknik për vite me radhë. Duke marrë shkas nga kjo situatë, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit rrugor në Ministrinë e Transportit kërkoi rishikimin e rregullores dhe marrjen e një vendimi për lehtësimin e pagesës së taksës. Përtej këtij problemi, DPSHTRR-ja është hasur në tre muajt e fundit me disa procese që kanë penguar zhvillimin normal të punës. Disa protesta të autoshkollave për rritje të orëve të punës, procesi i privatizimit të Kontrollit Teknik, si dhe arrestimi i disa punonjësve për mitmarrje, e kanë kthyer DPSHTRR-në në një institucion jo pak të rëndësishëm. Drejtori Kreshnik Bozho, duke folur për “Shqip” është munduar të shpjegojë se “perceptimi i korrupsionit” për institucionin që drejton ka rënë ndjeshëm. Drejtoria që mbulon sektorin e targimit të automjeteve, lejeve të qarkullimit, lejeve të drejtimit dhe kontrollin teknik haset çdo muaj mesatarisht me 30 mijë drejtues automjetesh. “Vetëm nga ky volum kuptohet qartë se puna e drejtorisë tonë nuk është dhe aq e thjeshtë. Korrupsioni? Po mundohem që në çdo mbledhje me vartësit e mi t‘ju them rëndësinë që ka roli ynë në shërbimin që ofrojmë ndaj qytetarëve”, thotë Bozho.

Amnistia

Në zbatim të ligjit “Për faljen e detyrimeve doganore dhe tatimore, të detyrimeve të prapambetura të taksës vjetore të qarkullimit rrugor të mjeteve e të taksës së regjistrimit të përvitshëm të mjeteve, si dhe të gjobave e kamatëvonesave të papaguara të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore”, që ka hyrë në fuqi më 11 shtator 2008, DPSHTRR ka nxjerrë një udhëzim në drejtim të drejtuesve të atyre automjeteve që preken nga ky ligj. “Si institucion që ka për detyrim ligjor, ngritjen dhe informatizimin e Regjistrit Kombëtar të Mjeteve, si dhe në rolin e agjentit tatimor, për mbledhjen e taksës vjetore të qarkullimit vjetor, si dhe të taksës së regjistrimit të përvitshëm të mjeteve, DPSHTRR-ja informon pronarët dhe ish-pronarët e mjeteve, në qarkullim ose jo, që të paguajnë taksat për qarkullimin dhe kontrollin teknik”, deklaroi Bozho për gazetën. Vjelja e taksës vjetore të qarkullimit rrugor të mjeteve dhe të taksës së regjistrimit të përvitshëm të mjeteve, të cilët u falen detyrimet e prapambetura, të papaguara deri në dhjetor të vitit 2007, prekin mjetet me detyrimet e prapambetura dhe që janë në qarkullim si dhe ato që nuk janë në qarkullim. Mendohet se rreth 150 mijë automjete nuk paguajnë taksat, për shkak se pjesa më e madhe e tyre nuk janë në qarkullim. “Ligji në fjalë erdhi si pasojë e situatës së krijuar me automjetet të cilat nuk paguanin taksat në Drejtorinë e Shërbimit të Transportit Rrugor”, thotë Bozho. Nga 349772 automjete të regjistruara në DPSHTRR, afro 192 mijë prej tyre paraqiteshin për të kryer kontrollin teknik dhe pagimin e taksës së qarkullimit rrugor. Sipas Bozhos, rreth 90 për qind e tyre nuk janë në qarkullim, pasi që nga viti 1991 e deri më sot mund të kenë dalë fare nga funksioni. Bozho thekson se çdo qytetar duhet ta çregjistrojë mjetin në momentin që vendos ta nxjerrë nga qarkullimi. Përveçse është detyrim ligjor, ky proces nuk shoqërohet me kosto për individin. Mjafton që ai të dorëzojë lejen e qarkullimit dhe targën. Megjithatë, për situatën e krijuar kreu i DPSHTRR-së fajëson dhe institucionin përgjegjës, i cili që nga viti i krijimit në 1999, duhet të kishte sqaruar me hollësi çdo individ.

Udhëzimi i ministrisë shprehet se, për mjetet që janë në qarkullim, të pajisura me leje qarkullimi të modelit të ri, por që kanë taksa të prapambetura, procedurat do të vazhdojnë normalisht duke shlyer vetëm taksat e vitit 2008. “Edhe këtu ka probleme. Ligji thotë që personat që blejnë një mjet duhet ta regjistrojnë atë brenda 10 ditëve. Kjo nuk ka ndodhur. Probleme kemi dhe me institucionet shtetërore”, thotë Bozho. Nga 150 mijë automjetet që nuk kanë paguar taksat, rreth 15 mijë ose 10 për qind e tyre janë në qarkullim, por që kanë neglizhuar të paguajnë taksat. Amnistia fiskale do të zgjasë deri më 7 prill 2009. pas kësaj date do të aplikohen të gjitha detyrimet bashkë me sanksionet.

Automjetet

Hiqet 2% taksa e shitblerjes

Gazeta botoi pak kohë më parë lajmin se Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor kishte hequr nga detyrimi taksën 2 për qind mbi vlerën e shitjes së automjetit, duke lehtësuar procedurën për regjistrimin e aktit. Drejtori Kreshnik Bozho e shikon me mjaft rëndësi këtë ndryshim, duke e lidhur me ngërçin e krijuar ndër vite. “Me ligjin e ri të taksave kombëtare, 2 për qindëshi mbi çmimin e shitjes së automjetit u hoq për shumë arsye. Jo vetëm se nuk gjente gjithnjë aplikim, por se koncesionarët kishin kërkuar heqjen e kësaj takse, pasi rëndonte aktivitetin e tyre”, thotë Bozho. Pagesa e kësaj takse i hapte rrugë regjistrimit të automjetit, e cila nuk duhet të ishte nën 50 mijë lekë. Nga e gjithë vlera totale e të ardhurave nga kjo taksë, për buxhetin e DPSHTRR shkonte vetëm 10 për qind e saj.

Rastet e tjera

- Për mjetet e pajisura me leje qarkullimi të modelit të vjetër, por që kanë taksa të prapambetura, fillimisht do të procedohet me rinovimin e lejes së qarkullimit (modeli i ri) dhe më pas do të bëhet vetëm pagesa e taksave të vitit 2008, por gjithmonë përpara kryerjes së kontrollit teknik.

- Për mjetet që janë në qarkullim, të pajisura me leje qarkullimi të modelit të vjetër, por që kanë taksa të prapambetura dhe për të cilat kërkohet transferim në një rreth tjetër, do të pajisen me lejen e qarkullimit të modelit të ri. Pagesa e taksave të vitit 2008 do të kryhet, pas pajisjes me leje të re qarkullimi dhe më pas vazhdohet me kontrollin teknik.

Kriteret

Përjashtimi nga taksat

për mjetet jashtë qarkullimit

Për mjetet që u falen detyrimet e prapambetura, që nuk janë në qarkullim dhe për të cilat kërkohet çregjistrim i përhershëm aplikohet procedura si vijon: subjekti kërkues, dorëzon formularin e vetëdeklarimit (i cili ndodhet pranë drejtorive rajonale), lejen e qarkullimit të mjetit, kur e disponon atë si dhe certifikatën e pronësisë, kur e disponon atë, për rastet e mjeteve që janë të pajisura me të. Po ashtu duhet dorëzuar targa e automjetit ose targa e automjetit, dokumentin e identifikimit të shtetasit, që paraqitet për çregjistrimin e mjetit, si dhe prokurën për kryerjen e veprimeve, në rastet kur ajo është e nevojshme. Për rastet kur mjeti ka ndryshuar pronësi dhe që për të nuk është bërë ndryshimi përkatës pranë Drejtorive Rajonale, duhet dorëzuar akti i përfitimit të pronësisë.

Detyrimet fiskale

Kur regjistrohet për herë të parë një autoveturë me naftë me 4+1 vende paguhen këto tarifa:

Regjistrim mjeti 4000 lekë

Certifikatë pronësie 2000 lekë

Taksë regjistrimi 2400 lekë

Taksë qarkullimi 10000 lekë

Kontroll teknik 1200 lekë

Kur pajisjesh me leje drejtimi i kategorisë “B” për herë të parë paguhen këto tarifa:

Pajisje me autorizim për kryerjen e kursit teorik 500

Provim i njohurive teorike 500

Pajisje me autorizim për kryerjen e kursit praktik 200

Provim i njohurive praktike për “B”, 1.000

Pajisje me leje drejtimi 3.500

Tarifa e pajisjes me leje drejtimi të kategorisë “B” 4.500

Shuma për të paguar 10200 lekë (ka qenë 10000 lekë ka ndryshuar vetëm 200 lekë)

Burimi: Gazeta Shqip

bookmark

Nessun commento:

Posta un commento