Ministria e Financave: Synohet lëvizja e lirë e qytetarëve, duke shfuqizuar tarifat
Të gjitha detyrimet e prapambetura që nuk janë paguar për makinat me targë të huaj pritet të falen me një vendim qeverie. Plani është hartuar nga Ministria e Financave, e cila ka përpiluar disa ndryshime në ligjin “Për taksat kombëtare”. Në fillim ministria do t’i propozojë Këshillit të Ministrave shfuqizimin e një pjese të ligjit ku përcaktohet masa e tarifës për automjetet me targë të huaj që qëndrojnë për një kohë të caktuar në territorin e Republikës së Shqipërisë. Masa e tarifës nuk konsiderohet e lartë kur shikon se është 1 euro për 60 ditë qëndrimi dhe pastaj 1 euro për çdo ditë qëndrimi, por për shumë individë që nuk e kanë paguar taksën për një kohë të konsiderueshme, shuma totale është bërë deri diku pengesë për regjistrimin e saj.
Plani i ri
Ministria e Financave propozon që tarifa e shërbimeve për qarkullimin e automjeteve të huaja për Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, e caktuar me Udhëzimin nr. 35, datë 17.10.2008 të shfuqizohet. “Shfuqizimi i kësaj tarife propozohet në kuadër të politikave të qeverisë për uljen e numrit të taksave/tarifave dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve”, argumenton ministria, në relacionin që shoqëron projektligjin. Sipas statistikave zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganës, për 11-mujorin e vitit 2009, të ardhurat e kësaj tarife kanë qenë në masën 150 lekë, ose mbi 1.5 milionë dollarë. Me shfuqizimin e nenit dhe të udhëzimit, ministria propozon edhe faljen e detyrimeve të vjetra. “Propozohet gjithashtu edhe falja e tarifës së shërbimit për pronarët e mjeteve me targë të huaj”, thotë ministria, procedura e faljes së tarifës së shërbimit për qarkullimin e automjeteve të huaja do të caktohet me udhëzim të ministrit të Financave.
Masa e taksës
Taksa e qarkullimit të mjeteve të huaja vilet nga degët e doganave në pikat e kalimit kufitar. Personat në momentin e hyrjes në territorin e Republikës së Shqipërisë me automjete me targë të huaj, pajisen nga degët e doganave me një vërtetim hyrjeje. Sipas ligjit aktual, automjetet e huaja përjashtohen nga pagesa e taksës së qarkullimit për 60 ditë qëndrimi në vit në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe paguajnë vetëm 1 euro në çastin e daljes. Për çdo ditë qëndrimi mbi këtë periudhë, taksa e qarkullimit llogaritet, sipas mjetit dhe reciprocitetit.
Nessun commento:
Posta un commento